64 milionë USD për 20 km rrugë me tren

Hekurudhat shqiptare sot ofrojnë më pak se 20 kilometra linjë transporti udhëtarësh, në një kohë kur financimet e buxhetit, grantet dhe kreditë për zhvillimin e tyre kanë qenë të pandërprera dhe trashëgimia nga e shkuara, e konsiderueshme.

Andi Bora dhe Andrea Danglli

Hekurudhat shqiptare kanë pasur më shumë se 64 milionë dollarë të ardhura në dispozicion gjatë 24 viteve të fundit dhe me to nuk ia kanë dalë të ruajnë apo ndërtojnë asnjë kilometër hekurudhë me standarde të pranueshme.

Në vitin 1990, Shqipëria trashëgoi nga sistemi komunist 730 kilometra rrugë të hekurt, e cila ishte e gjitha funksionale dhe transportonte njerëz dhe mallra.

Përgjatë dy dekadave të fundit në vend, jo vetëm që nuk është bërë asnjë ndërhyrje për të përmirësuar dhe modernizuar sistemin, por Shqipëria ka në dispozicion vetëm pak linja hekurudhore, të cilat gjithashtu funksionojnë me kohë të pjesshme.

Sot është funksionale vetëm një linjë udhëtarësh, ajo Durrës-Vorë, e cila ka një gjatësi prej 20 kilometrash.

Ndërkaq, pak linja të tjera funksionojnë për transport lëndësh industriale.

Edhe në këto segmente raportohen shpeshherë dalje të trenave nga shinat, përplasje me automjete apo edhe defekte nga amortizimi i lokomotivave.

Shumat vjetore nga buxheti i shtetit, donacionet dhe grantet e marra nga vendet partnere e po kështu kreditë e dhëna me terma të favorshëm nga institucionet financiare, ndërkombëtare nuk kanë mjaftuar për një funksionim modest të linjave hekurudhore, shqiptare.

PSE udhëtoi për të konstatuar situatën e hekurudhave në Durrës, Pogradec, Përrenjas, Lushnjë, Fier, Ballsh, Vlorë, Shkodër dhe Bajzë, por e pati të vështirë të konstatonte në terren gjurmë të investimeve prej 64 milionë dollarësh, të cilët zyrtarisht kanë shkuar për rrugët e hekurta, stacionet dhe trenat.

Të ardhurat e pandërprera

PSE përmes ligjit “Për të Drejtën e Informimit” ka arritur të tërheqë nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës shumat e akorduara nga qeveria shqiptare, grantet dhe donacionet, si dhe kreditë e lëvruara për hekurudhat shqiptare nga viti 1990 deri në vitin 2016.

Sipas përllogaritjeve tona, sektori hekurudhor gjatë 26 viteve të fundit ka përfituar një shumë financiare prej rreth 63,879,717 dollarësh.
Konkretisht, gjatë kësaj periudhe buxheti i shtetit ka akorduar 4 miliardë e 457 milionë e 110 mijë lekë (4,457,110,000 lekë).

Përveç këtyre, hekurudha shqiptare ka marrë nga institucione ndërkombëtare, financiare kredi në vlerën e 1 miliard e 876 milionë e 296 mijë e 143 lekëve (1,876,296,143 lekë). Ndërkohë, kësaj shume i përllogariten edhe interesat që i shtohen kredive të marra.

Gjithashtu, në buxhetin e hekurudhës shqiptare kanë shkuar edhe të paktën 15 milionë dollarë grante, të dhëna nga qeveria amerikane.

Ndërkaq, janë të renditura në listën e granteve edhe shuma të konsiderueshme parash që janë marrë nga qeveria italiane, japoneze apo hekurudha të vendeve të tjera.

Hekurudha shqiptare ka edhe një borxh të brendshëm tepër të lartë: detyrime ndaj kompanive private për karburant apo shërbimet e sigurisë.

Rrugët e hekurta i kanë kushtuar buxhetit të shtetit edhe humbjen e 10 milionë dollarëve.

Në vitin 2008, shteti shqiptar humbi gjyqin në Arbitrazhin Ndërkombëtar ndaj kompanisë “General Electric” për prishjen e kontratës për ndërtimin e linjës Tiranë-Durrës-Rinas, të nënshkruar nga qeveria e ish-kryeministrit Fatos Nano.

Ish-drejtori i Hekurudhave, Ferdinant Xhaferraj, në një prononcim për PSE theksoi se, gjatë 26 viteve të fundit qeveritë shqiptare nuk i kanë pasur zhvillimet në këtë fushë një prioritet.

“Bërja e rrugëve perceptohej midis të tjerave edhe si përfitim elektoral. Në planin e brendshëm problematikat e shumta të tranzicionit kanë shërbyer si forca centrifugale për të nxjerrë në periferi të interesave të qeverive hekurudhën shqiptare”, – tha ai.

Gjendja e hekurudhës

Pavarësisht shumave të alokuara në mënyrë të vazhdueshme, një vëzhgim i PSE në të gjitha stacionet hekurudhore të vendit dokumenton një situatë dramatike, e cila ka ardhur gjithnjë duke u përkeqësuar.

Kryeqyteti nuk ka më stacion treni. Në Tiranë stacioni i trenit është zhvendosur drejt Kasharit për t’i krijuar hapësirë zgjatimit të bulevardit.

Për të mbërritur në stacionin e trenit qytetarit që niset nga Tirana, përpos biletës së trenit, i nevojitet të shpenzojë edhe një kosto shtesë të urbanit ose ndonjë mjeti tjetër transporti.

Stacioni hekurudhor i Kasharit duket se qëndron më afër kushteve për të përmbushur kërkesat e udhëtarëve, pavarësisht se përmasat e tij janë tepër të vogla. Nuk janë të rralla rastet kur lëvizja në këtë stacion bllokohet kryesisht për shkak të mungesës së karburantit.

Stacioni hekurudhor në qytetin e Lushnjës është kthyer në një vendpushim për banorët, ku gjatë ditës ata sjellin kafshët e tyre për të kullotur në shkurret e dendura që kanë fshehur shinat.

Një banor i këtij qyteti tha për PSE se, këtij stacioni i kanë munguar prej vitesh investimet duke e lënë të degradojë tërësisht.

“Hekurudha është ndërtuar në vitin 1967. Pas vitit 1997, hekurudha këtu nuk ka funksionuar siç duhet. Ka gati 20 vjet që funksionon me shkëputje. Investime nuk ka pasur. Janë nja katër-pesë punëtorë që merren me mirëmbajtjen dhe ka rreth një vit që kjo linjë nuk funksionon. Unë nuk kam parë më trena të vijnë këtu”, – thotë ai.

Më tutje ndeshemi me stacionin e qytetit të Fierit. Banorët e shfrytëzojnë hapësirën e shinave pas godinës së administratës për të kaluar me mjete motorike.

“Treni i udhëtarëve ka 6-7 muaj që nuk kalon fare këtej, por administrata është pjesërisht në punë. Ndërkohë, pritet të bëhet rikonstruksioni i linjës nga një firmë private. Na kanë thënë se rikonstruksioni përfshin lokomotiva, vagonë, traversa, shina dhe çdo gjë”, – thotë për PSE një punonjës i këtij stacioni që kërkon të mos identifikohet.

E gjithë kjo linjë, që përfshin segmentin Ballsh-Vlorë, prej vitit 2015 i është dhënë me koncesion për 25 vjet kompanive “Alb Star sh.p.k.” dhe “Matrix Construction sh.p.k.”. Në janar të vitit 2016, ishin programuar të investoheshin rreth 16 milionë dollarë, ndërkohë deri më sot asnjë shenjë investimi nuk rezulton në terren.

Por linja hekurudhore në drejtim të Vlorës vazhdon të përkeqësohet edhe më tej. Banori i qytetit, Dashnor Kamberi, thekson për PSE se, prej një muaji ai nuk ka parë në stacion as trena dhe as punonjës të hekurudhës.

“Tani për tani situata është zero. Trenat i kanë çuar për shkrirje. Janë bërë vetëm riparime të vogla, kur del ndonjëherë treni nga shinat. Persona të mirëmbajtjes në terren nuk ka. Mund të shfaqen një ose dy veta një herë në muaj”, – thekson Kreshnik Danaj.

Ish-drejtuesi i mirëmbajtjes së linjës Rrogozhinë, Ballsh, Fier dhe Vlorë, Llukan Panajoti, i tha PSE se, që nga viti 2010 në këtë linjë nuk është bërë asnjë investim.

“Që nga viti 2010, bazamenti i kësaj hekurudhe është jashtë kushteve minimale, teknike. Mungesa e çakullit dhe moszëvendësimi i traversave ka vënë në rrezik sigurinë e lëvizjes së trenit”, – thekson ai.

Stacioni i Pogradecit dikur numëronte qindra udhëtarë, ku vendoseshin dy lokomotiva për të tërhequr vagonët e shumtë që gjarpëronin në rrugën e hekurt. Por kjo tashmë i përket së shkuarës, pasi sot gjendja është krejt tjetër.

Stacioni i trenit nuk dallohet më. Nuk ka as roje, as ndonjë vagon apo shinë që mund të dëshmojë se këtu dikur ka lëvizur treni. Në vend të tyre, në hapësirën e stacionit mund të gjesh një kullotë bagëtish, ashtu si në shumë stacione të tjera.

“Kemi vite që nuk ia ndiejmë zhurmën trenit. Dikur e kishim të sigurt udhëtimin me të. Nuk nervozoheshim nga trafiku dhe as rrezikoheshim nga aksidentet”, – thotë Dashamir Kroi, qytetar nga Pogradeci.

Ndërkohë, më tutje, situata në stacionin e Përrenjasit është përkeqësuar.

Boria e trenit në këtë qytet nuk dëgjohet prej vitesh. Përpara tij kanë mbetur veç disa lokomotiva të ndryshkura nga koha dhe asgjë më tepër.

“Nuk punon asgjë këtu. Vagonët që shihni, kanë shërbyer si motele për të kaluar natën ose si vende për konsumimin e lëndëve narkotike. Me aq sa na kanë informuar, këto hekurishte që kanë ngelur, do ikin për skrap. Rrimë gatitu, me shpresën se një ditë do të rihapet e të gjallërojë sërish si dikur”, – thotë Guri Sina, i vetmi nga tetë rojet që qëndron rregullisht në punë.

Situata paraqitet e rëndë edhe në stacionin e Elbasanit. Tashmë kjo godinë i përngjan një gërmadhe pa asnjë shenjë gjallërie. Me sy të lirë mund të shohësh lokomotiva të ndryshkura, vagonë të shkatërruar dhe shina të dala prej vendit.

Fadil Polisit, sot pensionist, duket se kjo gjendje i dhemb së tepërmi, pasi vite më parë ka marrë pjesë në aksionin vullnetar për të ndërtuar hekurudhën.

“Kemi vite që nuk shohim punime. Edhe disa pjesë metalike që kanë qenë më përpara, sot nuk janë më, pasi hajdutët e skrapit nuk i kanë kursyer. Dikur, kur vinte treni, rreshtoheshin njerëzit dhe e sulmonin me gurë, ndërsa sot e kërkojnë”, – shprehet qytetari elbasanas.
Në vitin ’85 shinat e trenit u shtrinë ndërmjet kufirit të Hanit të Hotit-Podgoricë duke shënuar kështu linjën e parë, ndërkombëtare të Shqipërisë me Malin e Zi.

Ky segment hekurudhor, pavarësisht ndërhyrjeve për ta mirëmbajtur, ka shfaqur probleme serioze.

Nga vëzhgimi i PSE konstatohet se, makinistët e kanë pothuajse të pamundur të marrin përsipër drejtimin e trenit, pasi gjatë punës lokomotivat e vjetra shfaqin avari.

Ata shprehen se problemi kyç është mungesa e specialistëve të duhur për ta mirëmbajtur.

Në vitin 2002, buxheti i shtetit akordoi për këtë linjë 311.8 milionë lekë investime për ta rihapur.

PSE udhëtoi në stacionin kyç të linjës ndërkombëtare në Bajzë, ku vëzhgoi nga afër gjendjen dhe foli me punonjësit e këtij stacioni. Një pjesë e tyre, edhe pse në gjendje të dehur, merrnin përsipër drejtimin e trenit duke mos patur parasysh pasojat fatale që mund të vijnë nga kjo aventurë.
Dedë Preçi, sot 69 vjeç, ka qenë që në orët e para të fillimit të punimeve për ndërtimin e kësaj linje. Ai shprehet se, linja është pothuajse siç ka qenë kohë më parë, kur ai punonte.

“Po të njëjtat godina, po të njëjtat lokomotiva, po e njëjta sinjalistikë, po të njëjtët trarë në kryqëzime rrugësh. Ndryshimi është se, sot është shumë herë më e degraduar se dje.

Pra, me pak fjalë, edhe ajo që u ngrit dikur, është shkatërruar sot”, – shprehet Preçi.

Në debatet elektorale në Shqipëri, sidomos në kryeqytet, gjatë 10 viteve të fundit është folur për plane të mëdha për ndërtim linjash trami, për stacione nëntokësore komunikimi, për autostrada dhe boshte që do të na lidhin me vendet fqinjë.

E vërteta është se udhët e hekurta nuk janë më, as të hekurta, as udhë.