Me plis në Shqipërinë e shekullit të XXI

Nga Arben Kola (Koloshi)

Unë jam një 37-vjeçar kuksian dhe që prej gati dy vjetësh mbaj plisin në kokë dhe kjo jo për trend, por sepse më është bërë pjesë e jetës së përditshme. Jetoj në kryeqytet dhe, ç’është e vërteta, njerëzit më shohin pak çuditshëm.

Plisin për herë të parë e kam vendosur me krenari në vitin 2000, kur luhej ndeshja Rusi-Shqipëri. Më pas e kam vendosur thjesht në momente festimesh kombëtare. Por, në vitin 2015, pasi Shqipëria u kualifikua në Kampionatin Europian të futbollit, plisi ngeli në kokën time… dhe s’kam ndërmend ta heq më.

Me profesion jam udhërrëfyes turistik dhe plisi iu bën shumë përshtypje turistëve të huaj. Gjithashtu, iu pëlqen shumë që një i ri si unë të mbajë në kokë një simbol të malësorit të vjetër. Plisi është universi në kokën e njeriut. Është simbol i pellazgëve të vjetër. Plisin gjithashtu e mbaj si shenjë krenarie kombëtare.

Këto vite ka patur shumë ndikime fetare, ndërsa unë me plisin dua të theksoj se, për shqiptarët i pari është kombi dhe, nëse ka diçka që ata e kanë të tyren ndër shekuj, është padyshim plisi, qeleshja, qylafi, kapuçi apo emri që ai ka në zona të ndryshme. Dua të ruaj historinë e vendit tim dhe kjo është një pjesë që më bën vërtet krenar.

Ky që kam në kokë është plisi i malësisë së Krujës. Kam patur edhe atë të malësisë së Kukësit, por ishte pak i gjatë, ndërsa plisi i Krujës është më i përshtatshëm.

Plisi i tremb disa njerëz, jam mësuar edhe me këtë fakt

Kur dal jashtë Shqipërisë, kam gjithmonë probleme në kufi. Në Greqi dhe Mal të Zi më kanë mbajtur me orë të tëra në doganë për të më kontrolluar dhe për të kuptuar motivin pse unë mbaj plis. Në Mal të Zi njëherë menduan se mos poshtë plisit kisha fshehur ndonjë bombë dhe aty u ndjeva i fyer.

Ç’është e vërteta, nuk kam patur reagime shumë pozitive, kur më shikonin, pasi identifikohem menjëherë që jam shqiptar. Në një qytezë malazeze, të quajtur Mojkovac, kam hasur reagimin më negativ, ku njerëzit më shihnin shtrembër dhe për pak sa plisi im nuk solli një konfrontim me vendasit.

Gjithashtu, as në rrethin e ngushtë shoqëror nuk kam patur miratimin që ta mbaj, madje disa prej miqve akoma më ngacmojnë për këtë fakt. Atyre u duket diçka e pamundur që një aksesor nga e shkuara relativisht e largët të vihet në kokën e një shqiptari të vitit 2017.

Edhe në familje jam kritikuar mjaft. Nusja ime në fillim nuk e pranonte aspak si fakt. Ndihej në siklet, teksa unë dhe ajo dilnim bashkë dhe të gjithë kthenin kokën, disa edhe më tallnin ashtu nëpër dhëmbë.

Por, kur, me rastin e Kampionatit Europian, ne shkuam në Paris, aty vëmendja ishte vetëm për ne. Unë, nusja dhe djali vendosëm të tre nga një plis të zonave të ndryshme. E teksa në një moment po shkrepnim fotografi poshtë kullës Eiffel, të gjithë turistët po na fotografonin ne, e kështu nuses time filloi t`i pëlqejë ideja e plisit.

Unë jam i bindur dhe do ta mbaj gjithmonë plisin, nuk jam penduar aspak për këtë vendim. Nëse im bir në të ardhmen do ta pëlqejë, unë patjetër do ta mbështes, edhe duke e ditur se, në kohët moderne që po jetojmë, ai do të paragjykohet.

Plisi gjithashtu më ka shërbyer si një barometër për të testuar njerëzit dhe mendimet e tyre për shqiptarët. Shpesh, nuk kam arritur të them asnjë fjalë dhe jam duartrokitur ose fyer, vetëm pse mbaj plis. Disa më pyesin, nëse ndihem i vjetër për faktin që e mbaj, por këtë nuk e kam menduar asnjëherë.

Plisi më ka sjellë fat, më ka bërë tjetër njeri.

*Arbeni është udhërrëfyes turistik. Prej vitesh jeton në Tiranë, që pas shpërnguljes nga një fshat i Kukësit. Jetesa edhe në emigracion e ka bërë më mendjehapur, por që gjithashtu të mos ndikohet nga opinionet e të tjerëve për zgjedhjen që i takon vetëm atij.  E konsideron veten patriot modern dhe jo nacionalist.

Fotografia: Merxhan Daci