Kur ëndrra amerikane bie në Lazarat

Nga Gjylso Gjini

Ishte hera e parë që aplikova për Lotarinë Amerikane dhe mendoj se ky ishte fati i fillestarit. Nuk e kisha menduar se do tëmë binte pikërisht mua. E pse mua njëherë?

Kisha aplikuar bashkë me një miken time, e cila e kishte më shumë se një ëndërr që ta fitonte.

Momenti i së vërtetës erdhi në një pasdite të qetë.

Unë dhe shoqja ime kaluam plot dy orë për të gjetur kodet që do na lejonin të shihnim rezultatin, sepse në fazën e parë nuk ishim zgjedhur e për pasojë nuk i kishim ruajtur të dhënat. Në fillim ajo pa rezultatin e saj dhe nuk ishte përzgjedhur, madje e vërteta dilte me bold  dhe me shkronja kapitale: YOU HAVE NOT BEEN SELECTED.

Kur vendosi kodin tim, ajo diçka ndjeu brenda vetes dhe vendosi duart para ekranit të laptop-it. Në momentin që i hapi duart, ishte një pamje shumë ndryshe nga ajo që kishim parë para disa çastesh. Nuk e besonim dhe thoshim: OK, po pse ekrani shfaqet ndryshe?

Isha plotësisht e bindur që nuk e kisha fituar. Kisha dëgjuar shumëpër të zhgënjyerit që nuk ishin zgjedhur dhe madje unë, personalisht, nuk njihja njeri që ta kishte fituar lotarinë. Mendoja se ishte thjesht një lojë.

Shokimi dhe “marrja” e vetes. Ishte e vërtetë

E kemi lexuar tri ose katër herë deri në fund të gjithë letrën se çfarë shkruhejme detaje dhe më në fund u binda që më kishte dalë vërtet lotaria. Pas kësaj lëshova laptop-in dhe fillova të bërtas me të madhe nëpër shtëpi,nuk dija se çfarë të bëja.

I telefonova mamasë,sepse prindërit e mi kanë kaluar një jetë shumë të vuajtur dhe asnjëherë, as unë e as ata, nuk e mendonim se do na vinte një fat i tillë. Ata ishin në dijeni që unë e kishahedhur lotarinë dhe kishin qeshur me këtë vendim timin.
E pse duhej t’i binte Gjylsos nga Lazarati lotaria?!

Kur i thashë që fitova lotarinë, mami qeshte dhe më kërkonte që të mos bëja shaka.

Ndërkohë që vëllezërit, nga ana tjetër, i thoshin asaj se unë po e vija në lojë. Sepse, kur thua “më doli ëndrra amerikane”, duket si ato ëndrrat e pakapshme. Vëllezërit e mi gjithashtu nuk njihnin askënd që të kishte fituar ndonjëherë lotarinë.

Motrat e përjetuan me gëzim dhe filluan të më uronin. Telefonatën e fundit e kisha ruajtur për vëllanë qëështë pika ime e dobët dhe isha në ankth në lidhje me reagimin e tij. Pasi e përshëndeta, i thashë se do t’i jepja një lajm dhe e përgatita moralisht. Vëllai në atë moment mori një qëndrim serioz dhe mendoi se mos ndoshta ndonjë djalë kishte hyrë në jetën time.

Kur unë i pohova me zë të mekur se kisha fituar lotarinë amerikane, ai më tha: “Vërtet?! Dhe nuk gëzon? Ma thua sikur është një gjë e vogël?!” Aty u ndjeva tërësisht e çliruar. Fillova të lëvizja nëpër shtëpi,nuk dija çfarë të bëja.

Vetëm qeshja, iu thoja shoqeve të më pickonin,të më thoshin se kjo që po jetoj është e vërtetë dhe ëndrra amerikane kishte ardhur vërtet tek unë. Bërtisja si e çmendur, aq sa e mori vesh gjithë pallati se ç’kishte ndodhur.

Por, atë çfarë po ndodhte, e kam besuar 100 përqind vetëm kur jam takuar me një konsulent.

Tani kam dhe një fazë procedurale për të kaluar: intervistën. Dy faza i kam kaluar fatmirësisht, po kur të shkel në Amerikë, atëherë do të bindem plotësisht. Do të doja pafund që atje të vazhdoja masterin për Politika Sociale dhe, pse jo, të punësohesha aty në këtë fushë.

Nuk e di se çfarë më pret andej dhe nuk dua ta mendoj më tej. Dëshiroj të jetë vërtet një rifillim.

*Autorja është22 vjeç,nga Lazarati i Gjirokastrës. Ajo është studente pranë Universitetit të Tiranës  për Administrim dhe Politika Sociale. Vjen nga një familje e madhe dhe me një ekonomi fshati.

Fotografia kortezi e Gjylso Gjinit