Frikërat e një prej këpucëpunuesve të fundit

Nga Isuf Lika

Emri im është Isuf. Jam dibran dhe prej plot 38 vjetësh jam këpucar, merrem me dizenjimin e këpucëve nga e para, por edhe me riparimin e tyre.

Sot jam 55 vjeç dhe kam këtë punishte të vogël dhe modeste, por zanatin nuk kam ndërmend ta lë, të paktën derisa të kem pasionin dhe forcën fizike. Zanatin e kam trashëguar nga babai, i cili ishte vërtet esnaf i kësaj pune.

Që në kohët e regjimit komunist ai dallohej në Dibër për këtë zanat dhe kështu ma trashëgoi mua, në mënyrë që ky biznes dhe pasion familjar të mos vdesë. Unë këtu punoj rreth 12 orë në ditë. Ky mjedis nuk është më eleganti i mundshëm, por produkti del shumë cilësor.

Kërkesa për këpucë të qepura dhe të prodhuara në mënyrë artizanale është e madhe, por unë punoj vetëm dhe nuk e përballoj dot. Padyshim që do më ndihmonte shumë një subvencion apo një kredi e leverdishme që unë, jo vetëm ta gjallëroj biznesin, por, pse jo, të punësoj edhe të tjerë që ky lloj zanati të përjetësohej në breza; sepse janë vite pune, eksperience, orë të stërgjatura për të parë modele që t`iu përshtaten kohëve moderne që po jetojmë dhe shumë motivim për të kënaqur shijet e klientëve.

Po e mbaj deri tani gjallë pa shkëputje, por…. i frikësohem ditës, kur ky vend i rrëmujshëm, por me punë të ndershme të mbyllet, pasi unë nuk do të jem më.

Problemi është se rinia e sotme e sheh si një metodë shumë të moçme këtë zanat dhe mendon se këpucët mund t`i bëjnë mirë vetëm fabrikat, të cilat kanë përparësi sasinë. Ndërsa unë këtu rri gjithë ditën që ta qëndis bukur këpucën që ma ka lënë klienti si porosi.

Im bir nuk ka aspak dëshirë që ta marrë këtë profesion. Mendon se kështu nuk mund të ecet në një shoqëri kaq kaotike dhe me një treg pune që po shkon drejt industrisë që prodhon sipërmarrja e madhe. Kam frikë se ky zanat në familjen tonë do të përfundojë me mua…

Pa e tepruar, mund të them që me këtë lloj pune jetohet. E kam fjalën që të leverdis absolutisht që ta bësh si punë. Kam krijuar kaq pak kushte dhe prapë arrij të mbaj familjen. Këpucët më të mira që kam bërë, kanë qenë këpucët e shollës, por tani nuk ekzistojnë më. Edhe sikur t’i qepësh, tani nuk i vesh më njeri.

Mundohem të bëj modele sa më tërheqëse me mendjen time dhe deri tani ia kam dalë. Klientët nuk mungojnë. Kam një pjesë klientësh besnikë që vijnë posaçërisht tek unë.

Mosha që vjen kryesisht është ajo e dytë dhe e tretë, por këto kohë kam parë një lloj tendence që edhe vajzat dhe gratë vijnë për modele, pasi këpucët e gatshme nuk ua plotësojnë shijet.

Në përgjithësi, klientët janë të kënaqur me çmimet. Unë nuk jam abuzues, pasi e di gjendjen ekonomike të shqiptarëve. Por, që Shqipëria të ecë, duhet që shqiptarët të veshin këpucë të qepura mirë dhe unë e di që jam një lloj promotori i “ecjes përpara”.

Kjo ishte për shaka, por vërtet që deri tani jam i kënaqur që njerëzit nuk më kanë braktisur dhe besojnë akoma te punimet artizanale.

*Isuf Lika ka një këpucari në hyrje të Rrugës së Dibrës, në kryeqytet, të mbushur plot me modele këpucësh. Ka punuar 10 vjet në Greqi për të perfeksionuar disa modele shqiptare, të trashëguara nga i ati, si dhe për t’iu përshtatur tendencave. Këpucën e parë e ka prodhuar në vitin 1980 dhe që prej asaj kohe e ka kultivuar këtë zanat me pasion.

Fotografia: Merxhan Daci