Futboll në të zezë

Kontratat e paplotësuara, pagat e vonuara me muaj, si dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të papaguara prej vitesh kanë zhytur në informalitet pjesën dërrmuese të klubeve shqiptare të futbollit. 

Nga  Fatjon Baze dhe Klevis Paloka

Një investigim i PSE zbulon se futbolli shqiptar është i zhytur në informalitet dhe kontratat e lidhura me futbollistët nuk zbatohen. Dhënia e pagave në afatin e caktuar dhe pagesa e sigurimeve shoqërore e shëndetësore konsiderohet një luks.

Përmes 10 dëshmive të marra nga lojtarë aktualë apo ish-futbollistë, të cilët gjatë karrierës së tyre kanë luajtur në dhjetëra klube shqiptare, zbulohet se fenomeni i pagave të papaguara me muaj dhe sigurimeve të munguara me vite ndodh në skuadrat e kategorisë superiore, ato të kategorisë së parë dhe po kështu të kategorisë së dytë dhe të tretë.

Federata Shqiptare e Futbollit, FSHF, si institucioni rregullator, kryesor, rezulton se ka neglizhuar në mënyrë të vazhdueshme përballjen me situatën duke mos penalizuar klubet për mospërmbushjen e deklaratave kontraktuale.

Informaliteti, këmbëkryq në klubet shqiptare

Daniel Xhafaj, ish-futbollisti i njohur, e ka më të lehtë të flasë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për situatën e futbollit shqiptar, duke pranuar se informaliteti aty është mbizotërues.

“Nga 19 vite karrierë futbollistike në Shqipëri, kam vetëm gjashtë vite të siguruara. Edhe ato klube që thonë se paguajnë sigurimet shoqërore, në fakt nuk e bëjnë”, – tha ai për PSE.

Pas një karriere me ekipet më të mira të kategorisë superiore, si Flamurtari, Dinamo, Teuta, Tirana dhe Skënderbeu, ai është vendosur në Florida si trajner i ekipit Celtic-U15.

Kolegët e tij në Shqipëri nuk janë kaq të guximshëm sa të flasin për problemet që hasin, edhe sepse karriera e tyre sportive do të merrte fund. Ndonëse në kushtet e anonimitetit, ata tregojnë për PSE problematikën e klubeve.

“Kam qenë pjesë e disa ekipeve në futbollin shqiptar si Turbina, Iliria, Besëlidhja, Dinamo, Mamurrasi, Kamza, Burreli. Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore tek asnjë nga ekipet që kam luajtur, nuk më janë paguar”, – thotë një futbollist.

Dinamo, Besa, Teuta janë tri ekipet, me të cilat unë kam luajtur në Shqipëri. Sigurimet shoqërore nuk më janë paguar asnjëherë”, – thotë një tjetër.

Mosmarrja në kohë e pagave dhe mospërmbushja e plotë e detyrimeve financiare nga momenti i nënshkrimit të kontratës me futbollistët gjithashtu është një problem mbizotërues.

“Pagat i kam marrë gjithmonë në dorë (jo përmes bankës), dhe dua të theksoj se jepen, kur të duan presidentët. Askush nuk mund të replikojë me ta”, – thekson një ish-futbollist i Teutës, Laçit dhe Kukësit.

Frika e shkatërrimit të karrierës, por dhe mungesa e kulturës institucionale bën që futbollistët shpesh të flasin në anonimitet dhe të heshtin për problemet që hasin me zbatimin e kontratave.

“Ne vetë, lojtarët, jemi neglizhentë ndaj institucioneve, sepse, nëse do të ankoheshim sadopak për të drejtat tona, do të ishim të fituar, pa e nisur gjyqin akoma, por, ngaqë s`kemi kulturë institucionesh, nuk e ndërmarrim hapin dhe vuajmë djersën tonë”, – rrëfen për PSE një ish-futbollist i Teutës.

Ildo Muho, një ish-futbollist 24-vjeçar, ka vendosur të flasë për PSE, edhe për shkak se tashmë nuk ka asgjë për të humbur. Në fakt, mosmarrja e pagesave gjatë kohës që ai aktivizohej si futbollist, e ka detyruar të ndërpresë dy vite më parë atë që mendonte se do të ishte karriera e tij.

“Kam qenë pjesë e skuadrës së Besës së Kavajës për një sezon, si edhe e skuadrës së Egnatias. Tek Besa për gjashtë muaj nuk kam marrë asnjë Lek. Tek ekipi i Egnatias rroga ishte sa për veten tonë, vetëm për rrugën e shpenzimet. Për sigurimet shoqërore as flitej fare,” – tha si.

Një tjetër i ri që nuk dëshiron të identifikohet tregon për PSE se, gjithashtu është detyruar të lërë ëndrrën e një karriere në futboll, për shkak se klubet ku filloi të luante e paguanin shumë rrallë.

“Kam qenë pjesë e dy skuadrave të njohura si Tërbuni dhe Kamza. Në të dy ekipet kemi pasur probleme me pagesat nga ana e klubit, pasi nuk paguheshim rregullisht, por vetëm një herë në tre-katër muaj. Në këto kushte, ishte e pamundur për mua të vazhdoja”, – shprehet ish-futbollisti.

Futbollistët e intervistuar tregojnë se, edhe në rastet kur disa klube paguajnë çdo muaj përmes bankave, shuma e deklaruar është shumë herë më e vogël se ajo reale, duke shmangur në këtë mënyrë sigurimet e larta shoqërore dhe shëndetësore.

Kontratat e futbollistëve dhe zbatimi i tyre mbeten një çështje ku transparenca është e vështirë të bëhet, qoftë edhe në rastet kur bashkitë zotërojnë aksione në klube dhe japin për to në mënyrë të rregullt donacione ose ndihmë për borxhet e papaguara nga të ardhurat e taksapaguesve.

PSE dërgoi pesë kërkesa për transparencën e kontratave në bashkitë, të cilat zotërojnë aksione në klubet e futbollit, por në asnjë rast kontratat e plota të lojtarëve nuk iu vunë në dispozicion.

Bashkia e Shkodrës, e cila është 100% aksionere në klubin e Vllaznisë, informoi vetëm për shumën e përgjithshme prej rreth 66,000,000 lekësh në vit që jep për klubin, ndërsa kryetarja e Bashkisë së Shkodrës,Voltana Ademi, nuk pranoi të prononcohej, nëse detyrimet e kontratave të futbollistëve paguheshin në kohë.

Bashkia e Tiranës, aksionere me 34% në klubin e Tiranës, ia delegoi kërkesën presidentit të klubit, Refik Halili, i cili, pasi telefonoi dhe u zotua se do të bënte transparencë në lidhje me kontratat, nuk e bëri duke mos u përgjigjur më.

Bashkia e Korçës ktheu përgjigje vetëm pas një ankese te komisioneri për të Drejtën e Informimit, duke informuar se ajo ka vetëm 30% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër menaxhohet nga presidenti Ardjan Takaj. Presidenti i Skënderbeut nuk pranoi të përgjigjej në lidhje me këtë çështje.

Bashkia e Kurbinit, e cila zotëron 30% të aksioneve të klubit të Laçit deklaroi se, nuk merrte pjesë në lidhjen e kontratave midis lojtarëve dhe klubit. Ndërsa presidenti i ekipit, Pashk Laska, fillimisht premtoi se do t`i jepte kontratat dhe më pas nuk e mbajti këtë premtim.

Bashkia e Lezhës iu përgjigj kërkesës duke dërguar vetëm emrat e futbollistëve të ekipit të Besëlidhjes dhe një tip kontrate të paplotësuar, duke na adresuar te presidenti i klubit, Gjokë Noka. Ky i fundit iu përgjigj me arrogancë kërkesës për transparencën e kontratave.

“Nëse unë nuk ua paguaj pagat në kohë lojtarëve, atëherë ke ardhur t’ua paguash ti?!”, – iu drejtua Noka gazetarit të PSE.

FSHF në apati përballë situatës

Ish-futbollisti i Elbasanit, Ervin Llani, i cili tashmë është menaxher i një restoranti në Boston, vendosi pesë vite më parë të ndërmerrte një hap të guximshëm. Ai paditi pranë Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF klubin e futbollit të Elbasanit për moszbatimin e kontratës së tij të vitit 2010.

Dhoma e Konflikteve është organi i vetëm shqiptar që, duke shërbyer si gjykatë, trajton çështjet e kontratave të lojtarëve, në një kohë kur gjykatat normale të vendit nuk e marrin përsipër zgjidhjen e çështjeve sportive.

“Pavarësisht se firmosa një kontratë prej 3,000,000 lekësh, ajo u zbatua vetëm pesë muajt e parë. Ndërkaq, pjesa tjetër nuk u zbatua, duke bërë që klubi i Elbasanit të më kishte një borxh prej 1,500,000 lekësh”, – Llani tha për PSE.

Ish-futbollisti arriti ta fitonte çështjen në organin e FSHF-së në vitin 2012, ndonëse ky vendim ende nuk është zbatuar dhe federata nuk ka marrë asnjë masë për penalizimin e klubit të Elbasanit.

“Ai vendim nuk u zbatua asnjëherë. Kam dërguar disa ankesa në FSHF, por është justifikuar me faktin se Elbasani nuk ka lekë dhe se duhet të presë sa të marrë ndonjë fond. Ai vendim mbetet thjesht një copë letër, sepse nuk mendoj se do të zbatohet ndonjëherë”, – theksoi Llani.

Ish-futbollisti, Mario Morina, tha për PSE se atij iu deshën tre vjet pas vendimit të FSHF-së të merrte rreth 1,000,000 lekë nga mos-shlyerja e kontratës së lidhur me klubin e Tiranës.

“E fitova gjyqin ndaj Tiranës në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në fillim të vitit 2013 dhe lekët që më takonin arrita t`i marr nga klubi vetëm në shtator të 2016-ës”, – theksoi ai.

PSE dërgoi pyetje dhe kërkesa të vazhdueshme për intervista pranë FSHF-së që prej muajit nëntor të vitit 2016 përsa i përket zbatimit të rolit rregullator që ky institucion ka për kontratat e klubeve, por nuk mori asnjëherë përgjigje.

Një kërkesë zyrtare FSHF-së ju nis gjithashtu në 3 shkurt por edhe për të nuk u morrë asnjë përgjigje.

Në shumë raste, FSHF ka qenë dëshmitare e kompromiseve të futbollistëve me klubet, edhe kur ato bien ndesh me interesin e të parëve.

I tillë është rasti i futbollistit, Klejdis Branica, i cili në mars të vitit 2015 paditi pranë FSHF-së klubin e Shkumbinit duke kërkuar zgjidhjen e kontratës dhe shlyerjen e pagave të prapambetura për periudhën shkurt-qershor 2014. FSHF arriti të provojë mospagesën për muajt e pretenduar, por në fund vendosi vetëm për të drejtën e tij që të zgjidhte kontratën, kjo pasi Branica u tërhoq rrugës nga e drejta për pagat.

“Bëra kompromis me Shkumbinin për të qenë i lirë të aktivizohesha me skuadra të tjera”, – tha Branica për PSE.

Në një kohë kur, nga pikëpamja juridike, një kontratë konsiderohet e shkelur, kur një palë nuk përmbush detyrimet e caktuara, futbollistët shqiptarë duhet të bëjnë kompromis për të falur pagat e prapambetura për t`u lënë të lirë.

Në fakt, shkelja e kontratave është një fenomen që tolerohet vetëm kur ndodh te futbollistët shqiptarë.

Lojtarët e huaj që i bashkohen skuadrave shqiptare, nëse kanë probleme me detyrimet kontraktuale, atëherë ata i paraqesin ankesat e tyre pranë Unionit të Shoqatave të Futbollit Europian, EUFA dhe jo në FSHF.

Në rast se EUFA gjykon se të drejtat e këtyre lojtarëve janë shkelur, atëherë ekipet shqiptare detyrohen t’ua paguajnë me shpejtësi shumën e detyruar, sepse penalizimet që zbatohen janë të rënda.

Ekipit të Tiranës iu bllokua merkatoja për gjysëm e parë të parë të vitit 2017, për shkak se nuk ishte në gjendje të paguante në kohë borxhin prej 5,000 eurosh ndaj ish-futbollistit bullgar, Martin Kavdanski.

Por, përveç FSHF-së, përgjegjësi për situatën informale, në të cilën gjenden klubet, kanë dhe institucione të tjera shtetërore.

Ligjërisht, çdo klub futbolli regjistrohet si biznes dhe më pas pajiset me një NIPT, çka i bën ata të kenë detyrime për të punësuarit pranë degëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Inspektoratit Shtetëror të Punës.

PSE iu drejtua Inspektoratit të Punës, nëse ishin bërë kontrolle për zbatimin e kontratave të punës dhe detyrimeve që rrjedhin nga ato në klubin e futbollit Tirana.

Ky institucion u përgjigj se, kontrolli i fundit i bërë tek ekipi i Tiranës ka ndodhur në fillim të vitit 2015 dhe se nuk ka pasur më pas kontrolle të tjera.

“Ky ekip nuk i ka paguar pagat që nga shkurti i vitit 2014, ndërsa sigurimet shoqërore nuk i ka paguar prej 16 muajsh, me pretendimin se ka një mungesë fondesh nga ana e Bashkisë së Tiranës që është edhe aksionere e këtij subjekti, madje për arsyen e mospagesës subjekti është bllokuar nga dega e Tatim-Taksave, Tiranë”, – theksohet në shkresën, e cila mban datën 3 mars 2015.

Situata e vështirë, me të cilën klubet shqiptare të futbollit po përballen, duket se po vret çdo ditë ëndrrat e të rinjve që duan të kenë një karrierë futbollistike në Shqipëri, dhe të shqiptarëve për një Kombëtare që do t`i bëjë vazhdimisht krenarë.