Në tetor të vitit 2016 u formua Laboratori i Gazetarisë Investigative, pasi me konkurs u përzgjodhën 13 studentë që vinin nga fakultetet e Gazetarisë në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan, si dhe universitetet private të vendit.

Qëllimi i nismës është nxitja e gazetarisë së pavarur investigative. Thelbi i projektit të studentëve të gazetarisë është promovimi i investigimit dhe gazetarisë cilësore.

Trajnerët, të ftuarit dhe koordinatorët e këtij projekti janë gazetarë me eksperiencë, alumni të programeve të trajnimit në SHBA, të ofruara nga Departamenti i Shtetit gjatë 25 viteve të fundit.

Gjatë këtyre muajve, në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë së Universitetit të Tiranës dhe Institutin Shqiptar të Medias, projekti ka ndërtuar një Laborator të Gazetarisë Investigative, ku alumnit trajnojnë dhe udhëheqin studentët nëpërmjet parimeve dhe metodave të gazetarisë investigative.

Me mbështetjen e tyre, studentët e gazetarisë kanë raportuar dhe investiguar për çështje të lidhura me korrupsionin dhe mungesën e transparencës në të gjithë Shqipërinë.

Historitë e tyre do të bëhen publike në këtë faqe interneti.

Laboratori i Gazetarisë Investigative është një nismë për trajnimin e studentëve, mbështetur financiarisht nga Ambasada e SHBA në Tiranë dhe Zyra e Programeve Alumni të Departamentit të Shtetit të SHBA. Përmbajtja prodhohet dhe redaktohet nga studentët e projektit të Laboratorit të Gazetarisë Investigative dhe ata janë përgjegjësit e vetëm për politikën dhe përmbajtjen editorial.

Pikëpamjet, gjetjet, përfundimet dhe rekomandimet e shprehura këtu janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

TRAJNERËT DHE LEKTORËT E LABORATORIT:

 

Trajnerët:

 

Lutfi Dervishi

Dervishi është ekspert i medias dhe komunikimit, trajner, analist politik dhe aktivist kundër korrupsionit. Një nga zërat më aktivë të medies në afërsisht tri dekadat e saj pluraliste, nga vitet 2008 deri më 2013-ën, ka drejtuar degën shqiptare të organizatës kundër korrupsionit, Transparency International. Në vitet 2007-2008, ka mbajtur detyrën e drejtorit të Informacionit në Televizionin Publik Shqiptar, TVSh, ndërsa në vitet 2013-2014 të njëjtin pozicion pranë televizionit Vizion +. Që prej vitit 1994 dhe në vijim ai është pedagog në Fakultetin e Gazetarisë së Universitetit të Tiranës, mes të tjerave dhe lektor për gazetarinë investigative. Në vitet 1995 dhe 2002 ka përfituar nga programet e Departamentit të Shtetit për zhvillimin profesional në SHBA.

Fatjona Mejdini

Mejdini ka përfunduar studimet e gazetarisë pranë Universitetit të Tiranës në vitin 2006 dhe masterin për Administrim Publik në 2011-ën. Pas një eksperience 10-vjeçare si raportuese e politikës në të përditshmet shqiptare, ajo ka fituar bursën Hubert H. Humphrey, të financuar nga Departamenti i Shtetit për të kaluar një vit zhvillimi profesional në SHBA, pranë Universitetit të Maryland-it. Nga tetori i vitit 2015, është gazetare e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investiguese, BIRN, duke qenë korrespondente e Shqipërisë për Balkan Insight. Në fillim të vitit 2015, ka kryer një internship katërmujor pranë kompanisë mediatike, amerikane, Politico, në Washington D.C.

Lektorët:

Adi Krasta është një nga gazetarët dhe prezantuesit televizivë më të suksesshëm në Shqipëri, drejtues i programit “E Diell” në televizionin Top Channel. Krasta ka kryer në vitin 2010 programin e lidershipit të vizitorëve ndërkombëtarë, IVLP, në SHBA, të mbështetur nga Departamenti i Shtetit.

Desada Metaj është një gazetare me eksperiencë e kontribute në median shqiptare, kryeredaktore e emisionit “Opinion” në televizionin Klan. Ka kryer në vitin 2000 programin IVLP.

Ilva Tare është një nga ikonat e gazetarisë televizive në Shqipëri dhe një zë aktiv në diskursin publik, aktualisht drejtoreshë e Informacionit në televizionin Ora News. Tare ka kryer programin IVLP në SHBA, në vitin 2000.

Bledar Zaganjori është gazetar me eksperiencë i shtypit të shkruar dhe atij televiziv, aktualisht është drejtor për Informacionin në Televizionin Publik Shqiptar, TVSH. Përgjatë viteve 1999-2000 ka ndjekur një vit të zhvillimit profesional në SHBA, pranë Indiana University – Purdue University Indianapolis.