Ministritë dhe bashkitë refuzojnë kërkesat për informim

Laboratori i Gazetarisë Investigative ka dërguar gjatë muajit tetor 12 kërkesa për informim, nga të cilat pesë nuk morën asnjë përgjigje, ndërsa në tri raste përgjigjja ishte jo e plotë

Nga Nertila Dosti

Edhe pse kanë kaluar dy vite që pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për të Drejtën e Informimit”, ai ende nuk është shndërruar në një instrument të fortë për t’iu siguruar gazetarëve dhe qytetarëve informacionet e kërkuara. Disa prej institucioneve refuzojnë të publikojnë të dhëna, ndërsa në mjaft raste përgjigjen pjesërisht ndaj kërkesave të mbërritura për informacion.

Që prej vitit 2014, ky ligj i ofron mundësinë çdo qytetari, gazetari apo organizate që të kërkojë informacion pranë një institucioni, pa qenë i detyruar të shpjegojë motivet. Nga ana tjetër, ligji 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, përmes nenit 15, detyron institucionet t`iu përgjigjen kërkesave të qytetarëve brenda një harku kohor prej 10 ditësh, në të kundërt institucionet rrezikojnë të penalizohen përmes gjobave të përcaktuara.

Laboratori i Gazetarisë Investigative, në tetor të vitit 2016, i është drejtuar 12 institucioneve me kërkesa për informim, nga të cilat pesë nuk kanë kthyer përgjigje. Institucionet që nuk kanë kthyer përgjigje janë Ministria e Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë, Bashkia Tiranë, Bashkia Kurbin, si dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Inva Hasanaliaj, gazetare e kursit investigativ, tregon përvojën e saj me institucionin e Autoritetit Rrugor, prej të cilit nuk mundi të merrte asnjë përgjigje.

“Kërkesa ime i ishte drejtuar Autoritetit Rrugor Shqiptar në lidhje me një financim me vlerë 30 milionë euro, që do të shkonte për rikonstruktimin e disa akseve rrugore. Autoriteti nuk jepte informacion për kompanitë që do të merreshin me pjesën e rikonstruktimit apo akset rrugore, të cilat do të përfshiheshin. Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tri javë që nga dërgimi i kërkesës, ende nuk kam marrë asnjë përgjigje nga ky autoritet.”, – u shpreh Hasanaliaj.

Ligji, në bazë të nenit 24, parashikon se, në rastet kur institucionet refuzojnë publikimin e një informacioni, individi ka të drejtë të depozitojë një ankesë pranë komisionerit të së Drejtës së Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Ky organ, pasi shqyrton rastin, vepron duke i detyruar institucionet të zbatojnë ligjin ose vendos ndaj tyre masë administrative me gjobë.

Sakaq, gazetarët e projektit morën përgjigje vetëm nga shtatë institucione, ndërsa në tri raste përgjigjja nuk ishte e plotë. Bashkia Shkodër, Instituti i Monumenteve dhe Inspektorati i Mjedisit, Durrës kanë ofruar informacion të pjesshëm, gjë e cila konsiston në shkelje të plotë të ligjit në fjalë.

“Jam përpjekur të depërtoj brenda Institutit të Monumenteve të Kulturës, ku kam kërkuar një informacion lidhur me bazilikën paleokristiane, të zbuluar në Elbasan.

Kam depozituar një sërë kërkesash, të cilat nuk janë “përfillur” nga institucioni në fjalë. Më është dashur një kohë e gjatë për të shkëputur një informacion, i cili, duhet thënë se pas shumë këmbënguljesh, në fund është servirur jashtë kërkesës sime”, – thotë Andrea Danglli, gazetar i projektit.

Në rastet kur konstatohet se informacioni është jo i plotë, çdo personi i lind e drejta të ankohet pranë komisionerit. Pranë këtij institucioni janë depozituar 750 ankesa, që prej hyrjes në fuqi të ligjit, por janë vendosur vetëm 5 gjoba. Arsyen e një disbalance të tillë mes numrit të lartë të ankesave dhe gjobave të pakta, komisioneri e shpjegon me faktin se në dy vitet e para ky organ është fokusuar më tepër në sensibilizimin e institucioneve sesa në ndëshkimet me gjobë.

Megjithatë, kjo “tolerancë” e komisionerit mund të keqpërdoret nga institucionet, të cilat përpiqen me çdo kusht të mos nxjerrin një informacion jashtë dyerve të tyre.

Fotografia: wikimedia.org