Pazari i Krujës, me qeleshe “Made in China”

Një projekt që synon nxitjen e prodhimit vendas, ruajtjen e trashëgimisë dhe uljen e produkteve të marra nga jashtë, nuk po jep frutet e duhura.

Emanuel Smaka, Chelsea Rae Ybanez, Inva Hasanaliaj

Turistët në pazarin e vjetër të Krujës nuk janë lajm.

Por një grup turistësh kinezë, që duan të marrin suvenire krutane dhe gjejnë aty prodhime kineze, është më shumë se kuriozitet.

“Kam ardhur nga Pekini dhe dua të marr diçka nga ky qytet me histori shekullore, por, me sa po shoh, shumë prej tyre janë prodhuar në vendin tim”, – thotë Henry Wang, tek qëndron në kalldrëmin e pazarit, pranë një dyqani që shet veshje tradicionale.

Tre vjet më parë në Krujë nisi një projekt me synimin e rritjes së vendeve të punës dhe uljes së numrit të produkteve që vinin nga jashtë, i hartuar nga Ministria e Kulturës, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, Ministria e Zhvillimit Urban dhe komuniteti i biznesit të Pazarit të Vjetër.

Memorandumi i nënshkruar më shtator 2014 nga katër institucione të rëndësishme në vend synonte uljen e produkteve të importuara me 30% gjatë dy viteve të para dhe për çdo vit pasardhës me 20%. Pjesë e rëndësishme e këtij projekti ishin gjithashtu dhe ndërhyrjet infrastrukturore në pazarin e Krujës, me përmirësimin e kanalizimeve të kullimit të ujërave të zeza, shtrirjen e rrjetit dhe instalimeve elektrike, si dhe krijimin e zyrës së informacionit për turistët.

Nga memorandumi u krijua Zona për zhvillimin e turizmit në qytetin e Krujës, e njohur si TID Kruja, një organizatë joqeveritare, e cila ofroi mbështetje me grante për të ruajtur traditën.

Faza e parë e projektit (rikonstruktimi i fasadave dhe çative), me vlerë 1 milion dollarë, ka përfunduar, ndërsa faza e dytë, e cila ka si synim mbështetjen e artizanëve për rritjen e cilësisë së shërbimeve, është prej një viti në proces.

Çifteli në pazarin e Krujës. Fotografia: Chelsea Rae Ybanez

Sot në pazarin e Krujës, përkrah produkteve që prodhojnë 19 artizanët e mbetur në qytet, qëndrojnë qeleshe të prodhuara në Kinë, flamuj kombëtarë, të porositur në Turqi dhe suvenire boshnjake.

“Nuk mund të largohen këto suvenire. Nevojitet bashkëpunim mes institucioneve lokale dhe qendrore, në mënyrë që të respektohet tradita në pazarin e Krujës”, – thotë Bledar Kaçiu, administrator i TID Kruja.

Artizani Fazan Berhami, që shet në pazarin e vjetër punime argjendi, thotë se është e pamundur të shmanget shitja e produkteve të importuara nga jashtë.

Në dyqanin e tij ka suvenire të prodhuara në Sarajevë, Stamboll dhe Pekin. Berhami është gjithashtu edhe anëtar i bordit të TID Kruja.
“Shitja e këtyre produkteve do të vijojë gjithmonë. Kanë një kosto të ulët dhe është e vetmja mënyrë për të mbijetuar”, – thotë ai.

Edhe gjatë ndeshjes Shqipëri-Serbi, të luajtur në Elbasan Arena, ndonëse patriotizmi arriti në kulme, në Krujë tifozët blenë mijëra qeleshe të ardhura nga Kina.

Në qendër të pazarit, Ndriçim Guni është i vetmi artizan që prodhon qeleshe artizanale.

“Që prej Luftës së Dytë Botërore familja jonë është marrë me këtë lloj artizanati. Qeleshe të importuara shiten kudo në pazar. Kjo e ka bërë punën tonë të vështirë. Duhet mbështetje konkrete, pasi konkurrenca po na dëmton. Një qeleshe e prodhuar jashtë është më e lirë se kjo që prodhoj unë”, – thotë Guni.

Artizanët thonë se jo të gjitha angazhimet që TID Kruja mori për turizmin janë plotësuar. Kamerat e sigurisë mungojnë në të gjithë zonën e pazarit të vjetër.

Ka kaluar një vit që kur Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit bëri të ditur se ky proces do të nisë së shpejti. Mungesa e kamerave të sigurisë është shqetësim për artizanët.

Fazan Berhami thotë se ky është një premtim që po vonohet, por që pritet të marrë zgjidhje.

Projekti i financuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit dhe i mbështetur nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Krujës parashikonte edhe krijimin e 600 produkteve të reja në Pazar, si dhe mbështetjen e artizanëve për shitjen e produkteve online.

Artizanët thonë se kanë pasur mbështetje përmes trajnimeve, por, sipas tyre, krijimi i 600 produkteve është i pamundur. Sa i përket shitjeve online, asnjë shërbim nuk është ofruar në këtë aspekt, ndërsa një numër i papërfillshëm prodhuesish të vegjël reklamojnë produktet e tyre.

Një shitëse në pazar duke pritur blerësit e suvenireve. Fotografia: Chelsea Rae Ybanez

Kjo vjen kryesisht si pasojë e mungesës së njohurive dhe kostove që krijon ky lloj marketimi.

Synimi i projektit nuk ka qenë thjesht ruajtja dhe mbështetja e trashëgimisë kulturore, por edhe zbatimi i një ligji. Neni 5 i ligjit “Për Zejtarinë” ndalon shitjen e objekteve me natyrë kulturore-artistike, të importuara në zonat e shpallura “qendra historike apo arkeologjike”.

Ndalimi i shitjes së këtyre produkteve duhet të kishte nisur që nga fillimi i këtij viti.  Vetë organizata për menaxhimin e turizmit në Krujë është skeptike për zbatimin e këtij ligji.
“Nuk e di, nëse është e mundur të zbatohet ky ligj, por ne do të përpiqemi t’i mbështesim artizanët”, – tha për PSE administratori i TID Kruja.

Numri i madh i suvenireve të importuara nuk është i vetmi problem në pazarin e Krujës. Ndonëse ky është një prej qyteteve më të vizituara në vend, ende në të nuk ka një zyrë informacioni turistik.

Të vetmet institucione që japin shifra zyrtare, janë dy muzete që pritën 100 mijë vizitorë gjatë vitit 2016.

“Numri i turistëve është i kënaqshëm. Tre vitet e fundit shifrat tregojnë rritje me 5 mijë vizitorë çdo vit”, – tha për PSE Medi Hafizi, drejtor i muzeut “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeut Kombëtar Etnografik. Hafizi është përfaqësues i Ministrisë së Kulturës në bordin drejtues të TID Kruja, por zgjodhi të mos komentonte ecurinë e projektit TID Kruja.

Në Bashkinë e Krujës flasin për 300 mijë vizitorë në vit.

Mungesa e zyrës së informacionit i faturohet “situatës së trashëguar” nga e shkuara.

“Do të përpiqemi që në fillim të sezonit veror ta kemi gati një të tillë në shërbim të turizmit”, – thotë Drini Masha, përgjegjës i zyrës së Marrëdhënieve me Publikun dhe Turizmit pranë Bashkisë së Krujës.

Brezi i fundit i artizanëve?

Përfitues të granteve të shpërndara nga projekti kanë qenë vetëm nëntë prej artizanëve të Krujës. Sipas përfaqësuesve të TID, përzgjedhja është bërë për të nxitur konkurrencën.

“Sigurisht që ka pasur pakënaqësi për përzgjedhjen ndërmjet artizanëve, ne kemi zgjedhur nëntë, në mënyrë që të angazhojmë sa më shumë”, – thotë administratori i organizatës.

Trashëgimia e artizanatit është një tjetër element i projektit. Nuk është e lehtë të marrësh një përgjigje se çfarë mbështetjeje kanë pasur artizanët në këtë aspekt.

Një artizan duke prodhuar opinga. Fotografia: Chelsea Rae Ybanez

Dallëndyshe Tabaku është njëra prej artizaneve që përfitoi mbështetje nga projekti prej 1 milion dollarësh. Ajo thotë se trashëgimia e këtij zanati nga një brez në tjetrin është shumë e vështirë.

“Shteti duhet të bëjë shumë më tepër për të angazhuar të rinjtë. Mundi ynë nuk justifikohet dhe kjo është arsyeja pse fëmijët tanë nuk duan të vazhdojnë në të njëjtën rrugë. Ne jemi brezi i fundit i artizanëve…”, – thotë Tabaku.

Disa prej artizanëve, me të cilët bisedoi PSE, thonë se, edhe pse është një zanat që të fal kënaqësi, nuk dëshirojnë ta trashëgojnë te fëmijët e tyre. Një pjesë e të rinjve janë larguar drejt Tiranës ose kanë braktisur vendin për një punë që jep më shumë fitime.

“Të dy fëmijët e mi nuk jetojnë në Krujë, vajza është në Angli, ndërsa djali iku përpara dy muajsh azilant në Gjermani”, – thotë Behare Kasmi, teksa end një qilim në tezgjahun që ka trashëguar nga të parët.

Duhen dhe dy vite që ajo të dalë në pension. Për Beharen janë dy vite, të cilat i premtojnë pushimin e merituar të një jete plot lodhje.

Në pazarin karakteristik të Krujës do të ketë një artizane më pak, më pak prodhime të dala nga dora e zejtarëve krutanë dhe më shumë produkte të prodhura në Sarajevë, Stamboll e Pekin….

Dhe ky nuk është lajm i mirë as për turistët kinezë!