Pse një laborator?!

Laboratori i gazetarisë investigative është një nismë, e cila në themel të saj ka trajnimin e studentëve për të mësuar teknikat e investigimit dhe gazetarisë cilësore.

Në një kohë kur në hapësirën publike po shfaqet çdo ditë një portal i ri, ky zhvillim fatkeqësisht nuk përbën një lajm të mirë për gazetarët e rinj.

Tranzicioni global i platformave mediatike nga printi dhe ekrani klasik në internet ka sjellë një situatë kaotike në median shqiptare. Lehtësia, me të cilën kushdo mund të përçojë një mesazh online, është keqkuptuar me lehtësinë, me të cilën mund të ngrihet një media.

Në fakt, ajo çfarë ka ndryshuar, është vetëm platforma përmes së cilës përçohet mesazhi. Media kërkon përkushtim, struktura dhe parime të njëjta.

Për të qenë e suksesshme ajo kërkon liri, staf profesional dhe të specializuar, entuziazëm, paga dinjitoze dhe mundësi për avancim në karrierë.

Ajo që po ndodh sot në median shqiptare, është rendja për të transmetuar me shpejtësi njoftimin e fundit për shtyp të institucioneve apo statusin e përditësuar të politikanëve në Facebook.

Të gjendur përballë presionit konstant për të sakrifikuar cilësinë në emër të sasisë, gazetarët e rinj po izolohen (ndonjëherë edhe skllavërohen), brenda këtij realiteti të ri mediatik, pa pasur mundësinë të trajnohen profesionalisht, të prekin terrenin me këmbët e tyre, si dhe ta shohin me sytë e tyre.

Laboratori ka si qëllim kryesor të kontribuojë sadopak në ndihmë të gazetarëve për t`i aftësuar profesionalisht.

Laboratori nuk është një tjetër media, nuk e ka aspak këtë qëllim.

Suksesi i tij gjithashtu nuk do të matet me numrin e klikimeve dhe shpërndarjes së artikujve në internet.

Njësia e matjes së suksesit të tij është marrja e dijeve dhe mësimi i teknikave të reja për gazetarët, si dhe rritja e tyre profesionale.

Ky është një nga misionet për të cilat ia vlen të investohet, edhe nëse vetë laboratori, nga pasioni me të cilin do të punohet, do të merrte flakë.

Në vitin 1914, laboratori i shpikësit të famshëm amerikan, Thomas Edison, u përfshi nga flakët.

Ajo çfarë ka mbetur në histori nuk është ky fakt, por fjalët e tij pas incidentit:

“Ka një vlerë të madhe në shkatërrim. Të gjitha gabimet tona digjen.”

Ne urojmë që laboratori mos të na digjet dhe gjithashtu të mos bëjmë gabime.

Por, edhe nëse kjo do të ndodhë, edhe dështimi është i vlefshëm në një laborator!