Partneriteti me Universitetin Shtetëror të Arizonës, ASU

Laboratori i Gazetarisë Investigative do të shërbejë si një urë lidhëse mes studentëve shqiptarë të gazetarisë dhe atyre të shkollës së gazetarisë, Walter Cronkite, të Universitetit Shtetëror të Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pesë studentë të shkollës së medias dhe komunikimit, Walter Cronkite, pranë këtij universiteti po zhvillojnë një tur studimi dhe bashkëpunimi me studentët shqiptarë për të investiguar mbi tema të korrupsionit, keqqeverisjes, trashëgimisë kulturore etj.

Ato janë Fortesa Latifi, Jenna Miller, Cal Lundmark, Rae (Chelsea) Ybanez, Nkiruka Omeronye.

Profesorë të mirënjohur të gazetarisë së Universitetit Shtetëror të Arizonës, të cilët janë duke i shoqëruar studentët shqiptarë, do t`i trajnojnë ata për multimedian, gazetarinë e të dhënave dhe zhvillimet e fundit digjitale në lëmin mediatik.

Shkolla e medias dhe komunikimit, Walter Cronkite, në ASU  konsiderohet si një ndër institucionet më të mira arsimore në SHBA.

Media Arizona PBS, që kjo shkollë zotëron, përfshin tri kanale televizive dhe një portal online dhe konsiderohet më e madhja në botë për një shkollë gazetarie.

Po kështu, Arizona PBS është një nga rrjetet më të mëdha publike në vend, me mesatarisht 1 milion shikues.

 

Trajnerët amerikanë:

 

Bill Silcock

William Silcock është Profesor i Asociuar në shkollën Cronkite dhe një ndër novatorët kryesorë, globalë në mësimin e gazetarisë. Ai është kurator i programit të Departamentit të Shtetit, Hubert H. Humphrey, në Universitetin Shtetëror të Arizonës dhe drejtor i Nismës Globale Cronkite, ku zhvillohen shkëmbime mes fakulteteve dhe menaxhohen programe studimi jashtë SHBA-ve për studentët. Është bashkautor i librit “Lajmet tani: Tregimi i historive vizuale në kohën digjitale”, 2011, i cili është adoptuar gjerësisht si libër shkolle i medias digjitale. Silcock është i apasionuar pas lajmeve ndërkombëtare, televizive dhe ka trajnuar dhjetëra gazetarë në SHBA dhe nëpër botë.  Ka kryer doktoraturë për lajmet globale në vitin 2001 në Universitetin e Misurit, ndërsa ka një bachelor dhe master të marrë në Universitetin Brigham Young.

Theresa Poulson

Poulson është pedagoge e praktikës dhe drejtuese e Byrosë së Rrjetit të Hulumtimit Publik (Public Insight Network Bureau), një nyjë e përfshirjes së audiencës dhe komunitetit të shkollës së medias Walter Cronkite, ku studentët realizojnë projekte digjitale, investiguese duke përdorur elementë të multimedias. Ajo ka dhënë gjithashtu lëndën e Multimedias dhe Videografisë në shkollën Cronkite. Poulson më parë ka qenë një gazetare e multimedias në Washington, D.C., duke përfshirë mediat National Journal dhe Washington Post. Ajo ka qenë edhe kryeredaktore e gazetës The Daily Targum. Poulson ka përfunduar studimet bachelor në Universitetin Rutgers dhe master në shkollën Cronkite.